Edicioni i tretë i Festivalit të Filmit të Kosovës “Hyjnesha në Fron” u mbajt më 20-25 nëntor 2010 në Gjilan.
Në festival u shfaqën pesë filma në konkurrencë dhe dy të tjerë jashtë konkurrencës, që prezantuan
Kosovën dhe shtetet tjera, si Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë,
Suedinë e Zelandën e Re. Pjesë e Festivalit ishte edhe një program special, me filma të shkurtër të prodhuar
nga studentët kosovarë të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, që u përmblodhën nën titullin
“Kinemaja e së ardhmes“.
Filmat në konkurrencë ishin: "Gomarët e Kufirit" (Kosovë), “Ne dhe Lenini” (Shqipëri),
“Zogu i ngordhur në dollap” (Suedi), “Libertas”, (Kroaci) dhe “Cirkus Columbia” (Bosnjë e Hercegovinë).
Ndërkaq, jashtë konkurrencës u shfaqën filmat “Largimi nga Paskvelija” (Maqedoni) dhe “The Age of Stupid”
(Zelandë e Re).
Filmi më i mirë u shpall “Cirkus Columbia” në regji të Danis Tanovicit, ndërkaq çmim special
mori filmi “Gomarët e Kufirit“.
Për regjinë më të mirë u shpërblye Veljko Bulajic (“Libertas“),
për skenarin më të mirë Ivica Djikic dhe Danis Tanovic (“Cirkus Columbia“), çmimi për aktorin më të mirë
iu dha Enver Petrovcit (“Gomarët e Kufirit“), kurse për aktoren më të mirë Mira Furlanit (“Cirkus Columbia“).
Aktori më i mirë në rol dytësor u shpall Robert Ndrenika (“Ne dhe Lenini“), kurse aktorja më e mirë në rol
dytësor Arta Muqaj (“Gomarët e Kufirit“). Çmimi “Kinemaja e së ardhmes” u dha filmit të shkurtër
“Tri dritare” të Faton Bajraktarit.
Edicioni 2-2004 11- 17 tetor Pejë Edicioni i dytë i Festivalit të Filmit të Kosovës është mbajtur nga data 11 deri më 17 tetor 2004 në Pejë, me pjesëmarrjen e disa filmave të punuar në Kosovë, filma të cilët janë shpërblyer nga juria profesionale e festivalit, me çmimin “Hyjnesha në Fron”, që është dhënë për disa komponentë të rëndësishëm të filmit.
Në këtë edicion u ndanë këto cmime: Roli kryesor (aktor, aktore), Roli episodik (aktor, aktore). Skenari më i mirë, Regjia më e mirë, Filmi më i mirë, Çmimi i Festivalit, Dokumentari, Film i shkurtër, dhe cmimi për vepër jetësore, me të cilin u nderuar aktori i mirënjohur,
Abdurrahman Shala
Edicioni 1-2002 3-10 shtator 2002 Edicioni i parë i Festivalit të Filmit të Kosovës është mbajtur prej 3 deri më 10 shtator 2002 në Gjilan. Në konkurrencë prej 23 filmash janë seleksionuar 7 sish. Në edicionin e parë të festivalit janë shfaqur 7 filma të metrazhit të gjatë, disa prej të cilëve janë shpërblyer për komponentë të ndryshëm të filmit.
Në këtë edicion u ndanë këto cmime: Roli kryesor (aktor, aktore), Roli episodik (aktor, aktore). Skenari më i mirë, Regjia më e mirë, Filmi më i mirë, Çmimi i Festivalit, Dokumentari, Film i shkurtër, dhe cmimi për vepër jetësore, me të cilin u nderuan artistët e mirënjohur, Besim Sahatçiu dhe Istref Begolli